Rama në Gjermani: Nuk i ulëm pagat dhe pensionet siç na e kërkoi FMN, por i rritëm si rezultat i reformave
Kryeministri Rama gjatë vizitës së tij në Gjermani, ishte i ftuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert” si folës në “Eminent Lectures”, në Berlin. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se me reformat u shmang kolapsi ekonomik.
Gjithashtu në fjalimin e tij, Rama përmendi rritjen ekonomike, si dhe nuk la jashtë vëmendjes rritjen e fundit të pagave dhe pensioneve.
“Reformat në ekonomi shmangën kolapsin ekonomik. Rezultat i tyre është rritja e pagave dhe pensioneve, edhe përkundër tendencës së sotme në shumë vende. Ekonomia jonë po rritet në 3.5% krahasuar me 0 disa % që ishte në 2013. E dyta, ne kemi arritur, jo vetëm që të mos ulim rrogat dhe pensionet, siç na kërkoi FMN-ja, sepse borxhi publik po dilte jashtë kontrollit, ndërsa kishim dhe një borxh të fshehur prej 720 milionë dollarësh, të cilin e zbuluam kur morëm detyrën, një borxh vërtet shumë i madh për Shqipërinë, për shkak se nuk ishin paguar punët publike, shërbimet, kontraktorët. Tani kemi rritur rrogat dhe pensionet, pasi bëmë reformat dhe nëse rroga e administratës publike në Shqipëri ishte më e ulëta në rajon, tani pagat mesatare janë rritur.” u shpreh Rama
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.