Rama nga Shëngjini: Sezon i suksesshëm, por jemi vetëm në fazë kantieri
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësues të sipërmarrjes së turizmit në Shëngjin, lidhur me ecurinë e sivjetshme të këtij sektori në Shëngjin, si dhe problematikat që duhet zgjidhur sezonin e ardhshëm.
Bizneset janë shprehur në tërësi të kënaqura me menaxhimin e situatës nga strukturat e pushtetit qendror, veçanërisht sa i takon sigurisë, ndërkohë që kanë përsëritur kërkesën për përfundimin e rrugës hyrëse të Shëngjinit.
Të tjera probleme të shprehura nga sipërmarrësit, ishin edhe mungesa e punonjësve të kualifikuar, si një nga vështirësitë më të mëdha për plotësimin e stafit.
Nga ana e tij, kryeministri u shpreh se këtë sezon janë adresuar problematikat e shprehura më herët, si shërbimi shëndetësore, zhurmat, siguria në plazhe dhe mjetet e ujit. Ndërkohë sipas Ramës, pavarësisht suksesit, turizmi në Shëngjin është ende në fazë kantieri.
“Brenda shtatorit (rruga) do të jetë e përfunduar. Nuk donim të punonim në mes të sezonit sepse do të krijonim një kaos. Hyrja në shëngin do të jetë gati sezonin tjetër, normale. Por ambicia jonë është të krijojmë Shëngjin-Velipojën dhe të mundësojmë lidhjen me Malin e Zi brenda gjysmë ore dhe të përfitojmë nga turizmi në Malin e Zi. Do të kemi edhe një shtrirje shumë më të madhe të mundësisë për të shfrytëzuar potencialin turistik në këtë zonë”, deklaroi kryeministri.
Kryeministri listoi gjithashtu disa nga projektet e infrastrukturës që do të ndikojnë pozitivisht për zonën, si rruga e Torovicës, segmenti Milot-Balldren, aksi Shkodër-Muriqan, autostrada Thumanë-Kashar dhe nyja e Milotit.
Ndërkohë, Rama theksoi para sipërmarrësve edhe nevojën për zgjerimin e sezonit turistik, çka do të realizohet përmes investimeve të ndryshme që garantojnë punë për bizneset gjatë gjithë vitit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.