Rama: “Nuk ka ulje pagash apo pensionesh. Po shqyrtojmë hapjen e berberëve dhe dentistëve. Zgjerohen zonat e gjelbërta”
Kryeministri Edi Rama në një komunikimme qytetarët ditën e sotme ka theksuar edhe njëherë masat që po shqyrton qeveria për të bërë hapjen graduale.
Teksa këtë javë është publikuar harta e zonave të gjelbërta, ku liria e lëvizjes është bërë e mundur pa autorizim, kryeministri tha se po vëzhgohen edhe disa Bashki të tjera që nga java tjetër mund të bëhen të përshtatshme për tu kthyer në zona të gjelbërta.
Gjithashtu shefi i qeverisë, u shpreh se po shqyrtohet mundësia e hapjes së disa bizneseve si berberët dhe dentistët, por gjithmonë pas datës 11 maj:
“Do të hapemi me shumë kujdes dhe deri në, pas kësaj jave, dhe javës në vijim, do të bëjmë një analizë të thellë me ekspertët dhe komitetin lidhur me procesin e hapjes së korridoreve ajrore. Në tërësi do të vijojmë me këtë regjim për korridoret ajrore. Lehtësimi do të vijë në proces. Mbeten në proces për t’u studiuar dhe për t’u lehtësuar, disa biznese, floktoret, berberët, dentistët.
Janë të rrezikshme, sepse mjafton që një nga klientët të infektojë berberin, parukerin apo dentistin të gjithë marrin infeksionet. Por me protokollet do të lehtësojmë edhe këtë aktivitetet dhe pastaj mbetemi te qendrat tregtare më parë dhe më pas restorantet dhe baret. Pas datës 4 maj nuk ka diskutim deri në 11 maj kur do të kemi një rivizitim të të gjithë situatës. Do të shikojmë edhe efektin e hapjes së zonave të gjelbra që do të zgjerohen” tha ai.
Kryeministri gjithashtu u shpreh mbi deklaratat e deputetit socialist Ilir Beqaj, i cili sugjeroi uljen e pagave dhe pensioneve për të kompensuar buxhetin e shtetit mbi humbjet e mëdha të kësaj krize:
“Nuk ka ulje pensionesh dhe ulje rrogash, se dikush ka një ide dhe mund ti thotë në një vend ku të gjithë mund të shprehin idetë e tyre. Të gjithë mund të thonë ide të caktuara, për sa i përket vendimi zyrtar të qeverisë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë prekje të pensioneve apo të pagave. Përkundrazi nëse do të preken do të preken vetëm për t’u rritur dhe asnjëherë për t’u ulur për asnjë arsye në botë.“, tha Rama.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.