Rama për infrastrukturën në Ballkan: “Pa financime duhen 56 vite për të përfunduar autostradën adriatiko—joniane”
Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, siç tashmë e do tradita, u takuan në Londër nën kujdesin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Infrastruktura ishte edhe kryefjala e këtij samiti, duke pasur parasysh edhe projektet e shumta që ka financuar banka në rajon.
Kryeministri Rama, duke radhitur tre prioritetet kyçe të Shqipërisë në drejtim të infrastrukturës, theksoi se, në kushtet aktuale, pra pa financime shtesë, autostradës adriatiko-joniane, që është një prej projekteve më të rëndësishme të rajonit do t`i duheshin më shumë se 5 dekada për të përfunduar.
Sa i përket dy prioriteteve të tjera, kryeministri shqiptar radhiti tregun e përbashkët në Ballkan si dhe digjitalizimin, që vijon të mbetet një sfidë kyçe për rajonin.
Sa i përket tregut të përbashkët, ai vuri theksin te pengesat e shumta doganore mes dy vendeve, që aktualisht përkthehen në rreth 3600 orë pritje nëpër kufij.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.