Rama prezanton platformën e re të PS: “Anëtarët do të kenë të drejtë përzgjedhje për deputetët”
Kryeministri Edi Rama prezantoi platformën e re të Partisë Socialiste ku pritet të kenë akses të gjithë anëtarët e kësaj force politike brenda dhe jashtë vendit. Sipas Ramës platforma është një mekanizëm që u jep mundësi çdo anëtar dhe anëtare të partisë, të cilët krahas komunikimit dhe ndërveprimit, të mund të zgjedhin edhe deputetët përmes votës së tyre duke dhënë pëlqimin për kandidatët me të cilët PS-ja do shkojë në zgjedhjet e 25 prillit.
“Kjo platformë është një mekanizëm që rrit respektin për cdo anëtar dhe anëtare të partisë. Kemi një vizion afatgjatë, duam të përfshihen në këtë proces jo vetëm anëtarët brenda Shqipërisë por edhe ata që janë jashtë. Të gjithëve do ju shkojë një letër e specializuar me postë, me çelësin individual për ta aksesuar platformën. Ne presim të ketë intensifikim të marrëdhënies. Mundësia për të shfrytëzuar hapësirën që krijon teknologjia është e jashtëzakonshme, zhvillimi i komunikimeve jo vetëm me shkrim por edhe me grupe, përmes videokontakteve është patjetër një hapësirë e mrekullueshme që krijohet.”
Kryeministri tha se ditët në vijim pritet të hapet një tjetër proces, ku i gjithë opinioni publik ka të drejtë të zgjedhë individët që i pëlqejnë brenda PS-së.
Në ditët në vijim ne do hapim edhe një proces tjetër sërish përmes platformës së PS, i ndarë në dy grupe jo vetëm për anëtarësinë por edhe për gjithë publikun lidhur me deputetët që njerëzit duan. Këtu nuk do shohim krah, do i japim mundësi të gjithëve të japin opinione në lidhje me figura që gëzojnë respekt, tërheqin vëmendje, kanë mbështetje në komunitete të ndryshme, për të pasur mundësi vlerësimi dhe gjykimi në shkallë të gjerë.
Ditën e hënë në kuvend, do të paraqitet nga Partia Socialiste drafti për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sipas Ramës në këtë draft janë reflektuar edhe kërkesat e opozitës.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.