Rama takon ministrin e Jashtëm Gjerman. Sigmar Gabriel: Të çojmë përpara përafrimin e Shqipërisë me BE
Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjermani, ku është takuar me ministrin e Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel.
Gjatë këtij takimi kreu i diplomacisë gjermane theksoi se Gjermani kërkon që të çojë përpara përafrimin e Shqipërisë me BE, ndërkohë që sipas tij plani qëndron në tavolinë: “Ne duam ta çojmë përpara përafrimin e Shqipërisë me BE, plani qëndron tashmë në tavolinë” theksoi Gabriel.
Nga ana tjetër ministri i Jashtëm gjerman ka falenderuar Ramën për reformat që janë kryer nga ai si kryeministër. “Ju falenderoj për reformat që jeni duke kryer, ju falenderoj për angazhimin personal dhe qëndrimin tuaj në qetësimin e konflikteve në vendet fqinje; në prag të proceseve zgjedhore, reformat nuk janë të thjeshta. Shumica e shqiptarëve dëshirojnë stabilizimin dhe avancimin e mëtejshëm drejt BE. Shqipëria ka mundësinë e madhe historike që t’i bashkohet BE. Europa ka mundësinë të bashkëpunojë me Shqipërinë dhe fqinjët e saj për paqen e stabilitetin. Për këtë, ju jeni një garant” theksoi Garbiel.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.