Rama vizitë zyrtare në Zvicër – Firmosen dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit
Shqipëria dhe Zvicra duket se i kanë zgjeruar fushat e bashkëpunimit duke i çuar përpara marrëdhëniet mes vendeve. Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama zhvillon një vizitë zyrtare në Zvicër, e cila cilësohet si vizita e parë e një kryeministri shqiptar që pas vitit ’90-të.
Takimi mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentes së Konfederatës, Doris Leuthard, u zhvillua në Bernë.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Presidentja Leuthard theksoi si mjaft të dobishëm për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kryeministri Rama i shprehu Presidentes Leuthard mirënjohjen për kontributin e gjithhershëm që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë, sidomos për mbështetjen e dhënë në tre vitet e fundit për rezultatet e reformës administrativo-territoriale.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se reforma në drejtësi që fillon me vettingun, është strategjike dhe ndikon në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit.
Bashkëpunimi dypalësh në fusha me interes të veçantë për vendin si energjia, turizmi dhe arsimi profesional ishin tema të tjera diskutimesh në këtë takim.
Në prani të dy zyrtarëve të lartë u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit profesional dhe ajo për zhvillimin rajonal.
Kryeministri Rama shoqërohet në këtë vizitë nga disa ministra dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.