Raportet e KE, Rama: Policia e Shtetit, institucioni më i besueshëm. Komisariati dixhital, histori suksesi
Kryeministri Rama, gjatë një fjalimi u shpreh se policia e shtetit sot është një institucion i besueshëm, referuar raporteve të Komisioni Europian.
“ Tre vite më parë Policia e Shtetit ishte një institucion i pabesueshëm, sa gjykatat dhe prokuroria. Nisur nga anketimet profesionale të KE, Policia e Shtetit është sot institucioni më i besueshëm. Rritja e besueshmërisë së strukturës jetike në rrugën tonë për të bërë shtet dëshmohet në shumë drejtime, duke filluar nga rritja eksponenciale e numrit të telefonatave në drejtim të emergjencave kombëtare, apo nga rritja e vazhdueshme e shkarkimeve të aplikacionit të komisariatit dixhital. Ka pasur reagime gjithmonë e më pozitive nga ana e qytetarëve, pas telefonatave dhe denoncimeve të tyre për shkelje të rregullave të bashkëjetesës. Komisariati dixhital është një histori suksesi.”
Gjithashtu Rama foli për sekuestrimin e pasurive kriminale gjatë tre vite, ku tha se janë sekuestruar rreth 100 milionë euro pasuri kriminale.
“Në tre vite janë sekuestruar 100 milionë euro pasuri kriminale. Në këto tre vite e gjysmë është shënuar një ulje historike e vrasjeve, krahasuar me 25 vite me radhë, kjo pasi policia e Shtetit trajton në kohë konfliktet. Kemi zero vrasje për gjakmarrje në tre vite, sigurisht kjo përbën një arsye për të qenë krenarë. Ministri i ri i Brendshëm do të vijojë procesin e reformimit të Policisë së Shtetit. Zyrat në mbarë vendin ofrojnë 75 shërbime, ndaj MPB mbetet kampione në revolucionin teknologjik. Histori suksesi mbetet edhe policia rrugore, përmes transformimit që është i dukshëm, ndaj duhet të vijojnë fushatat ndërgjegjësuese për rregullat e sigurisë në rrugë. Kjo do të vijojë edhe me rezultatet që priten nga aplikimi gjobës progresive, por edhe ndryshimeve që do të pasojnë Kodin Rrugor për ashpërsimin e masave për përdoruesit e telefonit në timon, si dhe për t’i njësuar masat me legjislacionin e BE. Lodrat me makina jo vetëm janë të ndaluara, por edhe të ndëshkueshme shumë rëndë”, u shpreh Rama.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.