Raporti i Bankës Botërore – Disa faktorë pritet të limitojnë rritjen ekonomike globale
Rritja ekonomike globale ka arritur në një limit, ndërkohë që plakja e popullsisë, mungesa e investimeve, ngadalësimi i produktivitetit dhe tkurrja e politikave monetare do të kufizojnë ekspansionin, deklaron Banka Botërore.
Ekonomia botërore u rrit me 3% vitin e kaluar ndërkohë që më shumë se gjysma e vendeve kishin përmirësim, falë rimëkëmbjes së investimeve, aktivitetit në fabrika dhe tregtisë.
Kjo performancë pritet të vazhdojë deri në vitin 2020. Megjithatë, sipas raportit vjetor të Bankës Botërore mbi gjendjen e ekonomisë globale, pas atij viti, rritja do të limitohet.
Problemi është se pas vitesh të rimëkëmbjes nga kriza financiare globale, shumica e ekonomive të zhvilluara kanë mbyllur hendekun e rritjes ekonomike aktuale me atë potenciale.
Ekonomitë e zhvilluara pritet të ngadalësohen në vitet e ardhshme, ndërkohë që do të përballen me punësim të plotë dhe ndërsa bankierët qendrorë rrisin normat e interesit, deklaron Banka Botërore.
Banka bëri të ditur se pret që rritja e ekonomive të zhvilluara do të ngadalësohet nga 2.3% vitin e kaluar, në 2.2% këtë vit dhe 1.7% deri në 2020-ën. Megjithatë, ekonomitë në zhvillim, që u rritën me 4.3% vitin e kaluar, pritet gjithashtu të arrijnë tavanin dhe të kontribuojnë më pak te rritja globale.
Ky realitet, sipas ekonomistëve të Bankës Botërore, është rezultat i ndryshimeve afat-gjata demografike. Vende si Kina po përballen me tkurrjen e fuqisë punëtore ndërkohë që popullsia po plaket. Kjo ka sjellë edhe rënien e produktivitetit.
Ndër rreziqet e tjera, ekonomistët përmendin rritjen e papritur të kostove të ulëta të huamarrjes, që kanë mbajtur në këmbë ekonominë gjatë viteve të fundit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.