Raporti i FMN për Britaninë – Jep një perspektivë të zymtë, ul projeksionet për vitin që vjen
Fondi Monetar Ndërkombëtar dha projeksionet e fundit për ekonominë britanike ditën e Mërkurë, me një rritje të Produktit të Brendshëm Bruto me 1.5% në vitin 2018, në rënie nga 1.6% krahasuar me vitin aktual, duke përmendur pasiguritë nga Brexit.
“Pavarësisht rimëkëmbjes së ekonomisë globale dhe politikave efektive makroekonomike, ndikimi daljes nga Bashkimi Europian ka ndikuar kërkesën private të brendshme”, deklaroi kreu i FMN, Christine Lagarde.
Ajo shtoi se në një kohë të rritjes së sinkronizuar në të gjithë botën, Britania po humbet kryesisht prej Brexit, me inflacionin e lartë, rritjen e ngadaltë të pagave dhe vonesën e investimeve që janë rezultat i kësaj pasigurie.
FMN projektoi në Shtator një rritje të ekonomisë globale prej 3.6% në vitin 2017 dhe 3.7% në 2018-ën. Fondi i mirëpriti bisedimet e fundit për Brexit, por shtoi se ka një listë të madhe të detyrave me një afat të kufizuar, përfshirë këtu arritjen e një marrëveshjeje tregtare me BE.
FMN bëri të ditur gjithashtu se rritja e produktivitetit do të jetë e ngadaltë për vendin. Çdo barrierë e re në flukset e mallrave dhe punës përtej kufijve do të vazhdojë të ndikojë negativisht në produktivitet. Lagarde përmendi gjithashtu investimet e ulëta në infrastrukturë dhe inovacion dhe shtoi se Britania ka mungesë të zhvillimit të kapitalit njerëzor.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.