Raporti i ATP/ Pronat, ja sa para do të ndahen. Si do të përdoren fondet e dhëna për kompensim nga procesi i legalizimeve?
Miratimi i ligjit të ri të pronave dhe kalimi i ngërçit që erdhi pas rrëzimit të pjesshëm nga Kushtetuesja, duket se i ka dhënë nxitje të madhe kompensimit të ish-pronarëve, nga ana e qeverisë. Në vetëm 7 muaj, rezulton që të jenë shpërndarë 98% e parave të parashikuara në buxhet. Në këtë zë, qeveria kishte llogaritur shpërndarjen e 3.8 miliardë lekëve dhe sipas treguesve fiskalë rezulton që deri në korrik të jenë shpërndarë 3.71 miliardë lekë, raporton Gazeta “Shekulli”. Deri në fund të vitit, mbeten edhe 90 milionë lekë për dosjet e radhës.
Agjencia e Trajtimit të Pronës, që është edhe institucioni përgjegjës për kompensimin e kësaj kategorie, ka qenë aktive duke miratuar dosjet rast pas rasti. Vetëm në korrik dhe gusht janë kaluar një seri dosjesh që varionin nga kësti i parë deri tek i pesti. Kompensimi i ish pronarëve u konsiderua një prioritet nga qeveria, si një kërkesë e institucioneve ndërkombëtarë për t’i dhënë fund zvarritjes.
Kjo synonte të ndalonte edhe rritjen e numrit të çështjeve që përfundonin në Strasburg dhe ku trajtoheshin sipas një vendimi të unifikuar “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, çka ngarkonte buxhetin me detyrime marramendëse. Ligji i ri përfundoi në Kushtetuese, e cila e rrë- zoi pjesërisht atë, por ndërkohë duket se procesi ka hyrë në shina. Kompensimi i ish-pronarëve shihet si i lidhur me procesin e legalizimit pasi paratë që vijnë nga ky proces kalojnë te fondi i posaçëm ku përfshihen edhe fondet që vijnë nga privatizimet. Gjithsesi ky zë në buxhet rezulton me një realizim të dobët prej 40 për qind. Sipas parashikimit fillestar qeveria priste që të arkëtonte deri në fund të vitit 2017, 2 miliardë lekë nga ky zë, por në fakt, deri në korrik janë realizuar vetëm 809 milionë lekë.
Vendimet
Në vendimin e fundit për kompensim të pronarëve ATP në fillim të gushtit ka shpërndarë për 7 aplikime, 8 milionë lekë. Këto janë kërkesa të dala nga radha e kompensimit, në atë që ligji i pronave e trajton si kompensim të shpejtë, ku pronarët që pranojnë të marrin paratë shpejtë, i marrin ato në një vlerë më të ulët, sipas rastit nga 20 deri në 60 për qind më pak se sa vendimi.
Kjo formë i ka kursyer buxhetit të shtetit, pikërisht për këto 7 kërkesa 58 milionë lekë, të cilat kalojnë në fondin e vitit të ardhshëm. Edhe pse kjo është një shumë e konsiderueshme e kursyer në fondin e Agjencisë, për këtë institucion numri i kërkesave të përshpejtuara mbetet shumë i vogël, madje i papërfillshëm, duke iu referuar faturës totale të kompensimit. Por, në muajt në vijim, duke i referuar planit për bashkimit apo shkrirjes së institucionit, pritet që këto para të ndahen shumë shpejt për një pjesë të dosjeve të viteve 1993-95, ndërsa proces pune për muajt fundit të vitit, do të jetë kompensimi i pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale pa leje.
Këta të fundit paguhen, sipas ligjit në fuqi me 70 për qind të vlerës së pronës, e ndarë kjo në 5 këste, ndërsa “furnizimi” me para për këtë kategori shkon në llogari të ATP-së, nga ALUIZNI me paratë që mblidhen nga procesi i lejeve të legalizimit. Në lidhje me procesin e aplikimit dhe ekzekutimit të vendimeve përfundimtare për kompensim, për vitin deri tani kanë depozituar kërkesë me objekt ekzekutimin e vendimit të vlerësuar financiarisht 419 subjekte dhe Janë trajtuar për kompensim 197 kërkesa Sipërfaqja e kompensuar është 22.74 ha, nga të cilat 15.54 ha truall, 6.74 ha tokë bujqësore dhe 0.47 ha livadh kullotë. Sipërfaqja e shpërndarë nga fondi i tokës në dispozicion të ATP-së për kompensim fizik është 65.9 ha, tokë bujqësore. Në harkun kohor të dy viteve, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka shqyrtuar dhe vlerësuar 9282 dosje pronash nga 26 mijë që janë në total të mbetura në arkivin e këtij institucioni.
Të dhëna
Janë administruar kërkesat e subjekteve për përfitim të kompensimit, për pronarët e prekur nga ndërtimet informale. Aktualisht janë 29 VKM, për të cilat janë miratuar shpërblimet për sipërfaqet takuese, pronë private që preken nga ndërtimet informale. Për vitin 2016 janë miratuar 6 VKM të reja, për të cilat ka filluar procesi i aplikimit nga subjektet përfituese.
Dosjet
Janë publikuar dhe përmirësuar vazhdimisht vlerësimet financiare të vendimeve përfundimtare të për vitet 1993-1994 në faqen online të ATP-së. Në regjistër janë publikuar gjithsej 3925 vendime, nga të cilat 1869 vendime janë të vlerësuara financiarisht me një vlerë prej 11. 9 miliardë lekë.
Sa i takon shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët që preken nga ndërtimet informale, janë paraqitur 1060 aplikime nga subjektet përfitues. Për vitin 2016 janë trajtuar me vendime për lëvrimin e fondit të kompensimit, që përfitohet nga shpronësimi i sipërfaqeve të përcaktuara në VKM-të përkatëse 2230 kërkesa për të janë hapur dosjet përkatëse.
Në harkun kohor të dy viteve, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka shqyrtuar dhe vlerësuar 9282 dosje pronash nga 26 mijë që janë në total të mbetura në arkivin e këtij institucioni.
3.71 miliardë lekë kanë shkuar në llogari të pronarëve gjatë këtij viti, nga 3.8 të akorduara në fondin e Agjencisë për 2017-n.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.