Raporti i IEA – Kërkesa e fortë e naftës do të mbështesë ribalancimin e tregut
Kërkesa botërore për naftë do të rritet sipër projeksioneve këtë vit, duke ndihmuar në uljen e tepricës globale pavarësisht rritjes së prodhimit në Amerikën e Veriut dhe vendeve anëtare të OPEC, deklaron Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.
Agjencia rrit projeksionet për kërkesën në vitin 2017, në 1.5 milionë fuçi në ditë, nga 1.4 milionë që parashikonte në raportin e muajit të kaluar.
“Prodhuesit duhet të inkurajohen nga kërkesa, që po rritet sipër projeksioneve”, deklaroi agjencia me seli në Paris.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, po ul prodhimin me rreth 1.2 milionë fuçi në ditë, ndërsa Rusia dhe vende të tjera jo-anëtare të OPEC, do ta reduktojnë me 600 mijë fuçi në ditë deri në Mars të vitit 2018, gjë që do të mbështesë rritjen e çmimeve.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë bëri të ditur se përputhshmëria e OPEC me planin e uljes së prodhimit ka rënë në 75%, që është niveli më i ulët që prej muajit Janar.
Algjeria, Iraku dhe Emiratet e Bashkuara rezultuan vendet më të dobëta në mbajtjen e premtimit. Një tjetër sfidë për prodhuesit është rritja e outputit jashtë OPEC, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, rritja e fortë e kërkesës po ndihmon në pastrimin e tepricave, ndërkohë që Agjencia ka regjistruar një rënie në inventarët e vendeve të industrializuara për Qershorin dhe Korrikun. Stoqet qëndrojnë në 219 milionë fuçi sipër mesatares 5-vjeçare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.