Raporti i ILO për punësimin – 61% e botës në sektorin informal. Rritet hendeku gjinor në punë
Organizata Ndërkombëtare e Punës bëri të ditur në raportin vjetor se progresi botëror në trajtimin e papunësisë dhe hendekut gjinor në punë ka “ngecur” dhe cilësia e vendeve të punës është përkeqësuar.
Papunësia në të gjithë botën ra me 2 milionë në një total prej 172 milionë në vitin 2018, duke u rikthyer më në fund në normën prej 5%, ku ka qenë përpara krizës financiare.
Norma e papunësisë pritet të bie më tej në 4.9% këtë vit dhe të qëndrojë në këtë nivel deri në vitin 2022, ndërkohë që vendet me të ardhura të larta do të kenë rënie të të papunëve.
Megjithatë, sipas organizatës, treguesi fsheh disa tendenca shqetësuese. Sipas drejtorit të hulumtimeve të Organizatës, Damian Grimshaw, 2 miliardë njerëz, apo 61% e fuqisë punëtore në të gjithë botën, i përket sektorit informal, që janë zakonisht vende pune me pagë të ulët dhe pa mbrojtje sociale. Në shumicën e vendeve, më shumë se gjysma e punëtorëve në bujqësi i përkasin këtij sektori.
“Pjesëmarrja e pavullnetshme në këto kontrata përbën shenjë shqetësimi, për shkak se nuk përmbush kërkesat për të ardhura fikse që duhen për të paguar qiratë apo kreditë dhe nuk sjell përmbushje personale për aftësitë e fituara gjatë trajnimit apo pritshmërive për karrierë”.
Të dhënat për punësimin informal treguan se kishte më shumë burra në këtë sektor në vendet me të ardhura të larta dhe më shumë gra, në vendet e varfëra.
Gratë në total, kanë më pak gjasa të jenë pjesë e tregut botëror të punësimit, me një normë pjesëmarrëse prej 48%, krahasuar me 75% për burrat.
Drejtoresha e përgjithshme e Organizatës, Deborah Greenfield, shprehu shqetësim për hendekun gjinor në punë.
“Me një normë të pjesëmarrjes prej 48%, gratë kanë më pak gjasa të jenë pjesë e tregut të punës në krahasim me burrat. Mbyllja e hendekut gjinor ka ngecur dhe kjo është shqetësuese. Gratë përballen gjithashtu me rrezik më të madh të papunësisë dhe fitojnë shumë më pak se burrat”.
Edhe në vendet e zhvilluara, si ato Nordike, ka pasur vështirësi në mbylljen e hendekut gjinor në punë dhe gratë fitojnë bindshëm më pak se burrat.
Raporti theksoi gjithashtu se përqindja e popullsisë botërore në tregun e punës po tkurret, për shkak se jetëgjatësia është shtuar dhe më shumë persona kanë dalë në pension, ndërkohë që të rinjtë, kanë zgjatur vitet e edukimit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.