Raporti i KE për Shqipërinë: Tregtia e jashtme, nën potencial. Të rritet cilësia e edukimit
Komisioni Europian ka publikuar ditën e martë raportin ku mat progresin e Shqipërisë në reformat që duhet të ndërmerren në kuadër të integrimit në union. Komisioni ka vlerësuar përpjekjet në fushat prioritare, duke dhënë edhe rekomandimin për nisjen e negociatave.
Në vlerësim është marrë edhe kriteri ekonomik i Shqipërisë, ku theksohet se është ulur borxhi publik dhe ka vijuar rritja ekonomike dhe ulja e papunësisë.
Raporti shkruan se reforma thelbësore për të përmirësuar klimën e biznesit janë ndërmarrë, por duhet të ndiqen nga përpjekje të mëtejshme, si reduktimi i ekonomisë informale dhe zbatimi i plotë i reformës në drejtësi. Sa i takon sektorit bankar, kreditë e këqija janë në rënie, por huadhënia drejt bizneseve mbetet e ulët.
“Shqipëria ka bërë progres dhe ka një nivel përgatitjeje në termat e kapacitetit për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE. Veçanërisht progres është arritur në energji dhe infrastrukturën e transportit dhe dixhitalizim, megjithatë mbeten disa mangësi, të cilat cënojnë konkurrueshmërinë dhe tregtinë e Shqipërisë. Cilësia e edukimit duhet të rritet në të gjitha nivelet, jo thjesht për të pajisur më mirë njerëzit me aftësitë që kërkon tregu i punës. Tregtia e jashtme mbetet nën potencial dhe e përqendruar sektorialisht”, vlerëson raporti.
Së bashku me progresraportin, KE ka publikuar edhe një vlerësim të programit të reformave ekonomike. Në këtë dokument, Komisioni kërkon që borxhi publik të ulet më tej dhe të zbatohen masa konkrete për reduktimin e punës së padeklaruar. Një tjetër problem që cënon ekonominë shqiptare, është edhe e drejta e pronës dhe regjistrimi i tokës.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.