Raporti i laburistëve në Britani: “Miliarderët kanë financuar konservatorët për lehtësime tatimore”
Partia laburiste e opozitës në Britani, ka akuzuar miliarderët e vendit, duke thënë se super të pasurit dhe korporatat e mëdha kanë financuar partinë konservatore, në këmbim të lehtësimeve tatimore prej rreth 130 miliardë dollarë. Në një raport të titulluar “Në xhepat e të paktëve”, partia laburiste bëri të ditur se një në tre miliarderët e britanisë kanë financuar partinë e Kryeministrit Boris Johnson.
Sipas raportit, 48 nga 151 miliarderët e vendit kanë dhuruar mbi 65 milionë dollarë drejt partisë që prej vitit 2005 dhe 10 miliarderë kanë dhënë para që kur Johnson bëri të ditur premtimet e tij në muajin Maj. Raporti vjen ndërkohë që të dy partitë po konkurrojnë për votues përpara zgjedhjeve të parakohshme më 12 Dhjetor. Sondazhet tregojnë se Konservatorët do të fitojnë 39.9% dhe Laburistët 29%. Laburistët bënë të ditur në raport se partia Konservatore ka favorizuar korporatat dhe individët e pasur nëpërmjet politikave. Sipas tyre, konservatorët kanë “ofruar” mbi 110 miliardë dollarë nëpërmjet reduktimit të taksës korporative si dhe sasi të tjera më të vogla nëpërmjet uljes së taksës ndaj kthimit nga kapitali, taksës së trashëgimisë dhe tatimit të të ardhurave për të pasurit.
Konservatorët u kapën me detaje të raportit dhe ministri i Thesarit, Simon Clarke tha se laburistët kërkojnë të ndalojnë njerëzit që t’i lënë trashëgim fëmijëve shtëpinë. Megjithatë, mesazhi i laburistëve mund të hyjë në veshin e votuesve britanik, ndërkohë që ndjesia kundër miliarderëve është aktualisht e lartë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.