Raporti i KE për vizat, 30 mijë shqiptarë iu ndalua lëvizja në 2016 – “Të ngrihen programe për integrimin e të kthyerve”
Komisioni Europian raportoi sot mbi vazhdimësinë e implementimit të standardeve të liberalizimit të vizave në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e Partneritetit Lindor.
Në pjesën e dedikuar Shqipërisë, Komisioni shprehet se muajt e fundit vendi ynë ka marrë masa që u adresohen aplikimeve për azil, por zbatimi i tyre duhet të vazhdojë i pandërprerë. Masat përfshijnë menaxhimin e migracionit të parregullt, duke identifikuar të miturit e pashoqëruar, si edhe duke luftuar falsifikimin e dokumenteve.
Gjithashtu janë dyfishuar rastet e ndalimit të hyrjes, nga 15,835 në 30,305 raste, falë forcimit të kontrolleve në pikat e kalimit kufitar, përfshirë edhe Rinasin. Megjithatë, Komisioni shprehet se praktika e intervista të daljes, pra rastet kur kontrolli pyet mbi arsyet e vizitës, duhet zbatuar në një mënyrë të tillë që respekton të drejtat themelore të udhëtarit.
Numri i kërkesa për azil ka rënë me 28% në gjysmën e parë të vitit 2017, por mbetet përsëri më i larti i të gjithë vendeve që u është dhënë lëvizja e lirë. Për të patur efekte edhe më pozitive Komisioni Europian rekomandon organizimin e një fushate tjetër informimi mbi të drejtat dhe detyrimet e lëvizjes pa viza.
Gjithashtu është e nevojshme ngritja e asistencës për shtresën më të ndjeshme të popullsisë, e cila është më e gatshme për t’u larguar nga vendi në mënyrë të parregullt. Kjo asistencë duhet të fokusohet në forcimin e procesit të integrimit social ekonomik në terma afatgjatë, duke ofruar mbështetje në riintegrimin e shqiptarëve të kthyer.
Raporti vlerëson edhe progresin në luftën ndaj trafikut të lëndëve narkotike, ndërsa shton se duhet të shtohen hetimet dhe ndjekjet ndaj grupeve të organizuara, sidomos atyre të angazhuara në trafikimin e drogërave dhe emigrantëve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.