Raporti vjetor i BSH – Miratohet nga Këshilli Mbikëqyrës
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi të mërkurën raportin vjetor për vitin 2016.
Raporti vjetor përbën dokumentin më të rëndësishëm me anë të të cilit realizohet llogaridhënia para Kuvendit të Shqipërisë dhe komunikimi me sistemin financiar dhe publikun. Ai përmban informacionin kryesor mbi veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, në përmbushje të objektivave të saj ligjorë.
Sipas njoftimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, në raport pasqyrohen zhvillimet e përgjithshme makroekonomike në vend; politika monetare dhe ajo valutore e ndjekur nga Banka e Shqipërisë; zhvillimet në tregjet financiare dhe rreziqet potenciale me të cilat përballet stabiliteti financiar; aktiviteti mbikëqyrës, licencues dhe rregullator; aktiviteti i emisionit monetar, i sistemit të pagesave, kërkimor, komunikues dhe ai i edukimit të publikut; administrimi i burimeve njerëzore dhe fizike; veprimtaria e kontrollit të brendshëm dhe realizimi i objektivave strategjikë të institucionit për vitin 2016 dhe objektivat kryesore për vitin 2017.
Raporti do të publikohet pas miratimit të tij nga Kuvendi i Shqipërisë.
Njoftimi zyrtar bën të ditur se në mbledhjen e të mërkurës Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.