Raporti Vjetor/ Sa e goditi pandemia artin dhe kulturën?
Si çdo sektor tjetër, edhe kultura ka marrë goditjen e vet nga pandemia e COVID – 19. Raporti më i fundit i Institutit të Statistikave tregon se nga 1.124 shfaqje kulturore dhe premiera në total për vitin 2019, numri zbriti në 328. Rënie kjo e cila shënohet me afro 71%.
Nga ana tjetër, numri i vizitorëve ka rënë në mënyrë edhe më drastike, me afro 83%. Referuar Instat, nga 223.614 spektatorë për të gjitha teatrot apo cirkun në vitin 2019, numri i spektatorëve ra në 38.332 gjatë vitit pandemik.
Sa i takon vizitave në institucionet e trashëgimisë kulturore, vizitat kanë rënë me 82% në vitin 2020, krahasuar me vitin paraardhës. Në 2019- ën, muzetë, parqet arkeologjike, kalatë apo monumentet e kulturës kanë pasur 1.065.081 vizitorë. Në 2020-ën, shifra zbriti në 190.467.
Sipas Instat, afro 17% e vizitorëve në total në institucionet e trashëgimisë kulturore kanë qenë të huaj. As bibliotekat nuk i kanë shpëtuar “infektimit” me COVID. Nga 132.462 frekuentime në vitin 2019, numri ra në 30.002.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.