Raporti/Përkeqësohet sektori i ujit gjatë vitit 2016
Ndërkohë që çdo vit rrisin tarifat, kosto që i paguajnë qytetarët shqiptarë, Shoqëritë e Ujësjellës Kanalizimeve në mbarë vendin, nuk e reflektojnë këtë në rritjen e cilësisë së shërbimit.
Raporti Vjetor i Entit Rregullator të Ujit për vitin 2016 tregon se situata në këtë sektor është përkeqësuar ndjeshëm, ndërkohë që pritej rritje e performancës.
Po të analizojmë treguesit kryesorë me të cilët matet perfomanca në këtë sektor, vihet re se Mbulimi me Ujë (në %) është përkeqësuar nga 81 për qind që ishte në 2015, në 79 për qind në 2016-ën.
Po ashtu, një tjetër tregues shumë i rëndësishëm, Kohëzgjatja e Furnizimit me Ujë ka ardhur në rënie në 12.1 orë/ditë që ka qenë në vitin 2015, në 11.4 orë/ditë gjatë viti që lamë pas.
Qytetet me perfomancën më të mirë në këtë drejti janë Korça, Pogradeci dh Librazhdi që ofrojnë shërbim të pandërprerë. Mbulimi me kanalizime ka qenë sërish problematik, ndërsa uji pa të ardhura dhe niveli i matjes nuk kanë ndryshuar në krahasim me një vit më parë, duke mbetur përkatësisht në shifrat 67 dhe 64 për qind.
Një trend pozitiv është regjistruar sa i përket Mbulimit të Kostove O&M, efiçencës së stafit, Mbulimit të Kostove Totale dhe normës së arkëtimit.
Niveli i humbjeve në sektor është 67% për të katërtin vit radhazi, kjo tregon se pjesa më e madhe e ujit të prodhuar humbet, për rrjedhojë jo vetëm nuk gjeneron të ardhura por rrit edhe kostot e shërbimit të furnizimit me ujë.
Ky tregues mbetet në nivele aspak të mira dhe përben shqetësimin kryesor në sektor.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.