Raportohen 200 mijë shpendë të ngordhur në vend – Ministria e Bujqësisë informon mbi arsyet!
Ministria e Bujqësisë raporton se deri më tani raportohen rreth 200 mijë shpendë të ngordhura për të cilët janë kryer pranë ISUV analizat në bazë të mostrave të marra dhe sipas të dhënave të deritanishme rezultatet tregojnë sëmundjen e Laringotrakeitit infektiv në shpendë. Sipas njoftimit kjo është një sëmundje që prek kryesisht shpendët dhe nuk transmetohet te njerëzit dhe as nëpërmjet produkteve ushqimore nga shpendët, për pasojë nuk përbën rrezik për shëndetin publik.
“Është e rëndësishme të theksojmë dhe të sigurojmë konsumatorët se deri më tani nuk ka asnjë rast ku të jetë shfaqur influence aviare (gripi i shpendëve),” shkruhet në njoftim.
Gjithashtu po sipas informacionit të publikuar nga Ministria, Sektori i Shërbimit Veterinar të Qarkut të Durrësit në Drejtorinë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve Tiranë është njoftuar nga dy subjekte shpendërritëse se ka pasur probleme me disa shpendë dhe kanë marrë masat për shqyrtimin e situatës në vend, gjurmimin, kampionimin zyrtar dhe dërgimin e tyre në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ndërsa fermat janë vendosur në karantinë deri në daljen e rezultateve laboratorike.
Në njoftim specifikohet se në subjektet e tjera shpendërritëse për vezë e mish, në të gjithë territorin e vendit, AKVMB ka marrë masa të menjëhershme për parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe deri më tani nuk është raportuar asnjë rast.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.