Rastet e abuzimit me çmimet e maskave dhe dezinfektantëve, Autoriteti i Konkurrencës merr 3 masa të përkohshme deri në përfundim të hetimit
Autoriteti i Konkurrencës deklaron se ka kryer një monitorim në tregun e barnave (shumicë dhe pakicë), pas shqetësimeve të shprehura se në disa farmaci tregtoheshin me çmime të larta produkte si dezinfektantë e maska. Pas monitorimit, Autoriteti ka konstatuar se tregu ka mungesë të materialeve në nivelin e tregtisë me pakicë (rrjeti farmaceutik) dhe rritje të pajustifikueshme të çmimit në të gjitha nivelet e tregtimit të këtyre materialeve (depo farmaceutike dhe rrjeti i farmacive).
“Në kushtet e emergjencës shëndetësore, për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë të materialeve paramjekësore (dezifektant, alkool dhe maska), pasi ka të ngjarë të ketë shkelje të neneve 4 dhe 9 të këtij ligji, për shkak të rritjes së pajustifikueshme të çmimit të tregtimit, Komisioni i Konkurrencës, vendosi marrjen e masës së përkohshme si vijon:
- Ndalimin e sjelljes së ndërmarrjeve që veprojnë në rrjetin e tregtimit me shumicë dhe pakicë (importues, depo farmaceutike dhe farmaci) të materialeve paramjekësore, të cilat në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë vendosin çmime apo kushte të padrejta tregtimi.
- Me qëllim shmangien e abuzimit në zinxhirin e tregtimit, detyrimin e të gjitha ndërmarrjeve që veprojnë në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të materialeve paramjekësore të jenë transparent në vendosjen e çmimit të shitjes së materialeve dezinfektant, alkool dhe maska.
- Aplikimin e çmimeve të orientuara drejt kostos dhe publikimit e tyre në faqet zyrtare të internetit të ndërmarrjeve apo në kanalet e tjera të komunikimit” njofton Autoriteti.
Masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedures hetimore.
Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme, ndërmarrjet që do të konstatohen në shkelje ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.