Rastet e reja me COVID – Manastirliu apel qytetarëve: Mos neglizhoni masat individuale të higjienës dhe distancimit social
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar një mesazh apelues për të gjithë qytetarët duke theksuar se pas hapjes fillimisht graduale, dhe më pas tërësore dy javë më parë, Shqipëria ka ende transmetim komunitare të infeksionit në Tiranë, Shkodër dhe Durrës. Kemi të prekur dhe shtim të numrit të pacientëve në Spitalin Infektiv.
“Që kur vendosëm për rihapjen, kemi ndarë me ju besimin se gjërat do të shkojnë mirë, vetëm nëse plotësohet një kusht themelor: bashkëpunimi i qytetarëve. Normaliteti i ri nuk do të jetë kurrë si ai i para Covid-19, për sa kohë që asnjë vend i botës nuk ka mundur të gjejë ende, as kurën, as vaksinën,” është shprehur ministrja.
Manastirliu bën apel që, pas rihapjes, askush të mos relaksojë dhe neglizhojë masat individuale të higjienës dhe distancimit soial, apo edhe të protokolleve sepse kjo do të ishte një “recetë” për përhapje të shpejtë të infeksionit.
Sipas ministres në situatën ku ndodhemi sot, e cila ishte brenda pritshmërive tona kur planifikuam rihapjen, është e domosdoshme që gjithë secili të marrë përgjegjësitë e veta qytetare, me qëllim që të ruajë veten dhe të tjerët. Ajo thekson gjithashtu se sistemi shëndetësor është në nivelin më të lartë të gatishmërisë dhe puna në terren nuk është ndalur për asnjë çast, për zbulimin e çdo rasti dhe kontakti, për të këputur zinxhirin e infeksionit.
“Megjithatë, edhe mjekët, heronjtë e gjithë pranuar të këtyre kohëve, pak mund të bëjnë pa bashkëpunimin e qytetarëve, ashtu siç ka ndodhur që në ditën e parë të kësaj luftë. E kam thënë edhe herë tjetër, pak vlen t’i lëvdojmë dhe falënderojmë, nëse vetë nuk bëjmë secili pjesën tonë, për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Ju lutem dëgjojini thirrjet e tyre, dhe informohuni vetëm nëpërmjet institucioneve përgjegjëse shëndetësore. Ju lutem, të mos e ulim vigjilencën dhe të mbrojmë veten, të afërmit, miqtë tanë. Ju lutem, vazhdojmë të bashkëpunojmë për të mos e çuar dëm sakrificën e këtyre muajve, kur të gjithë bashkë, qeveri dhe shoqëri dhamë një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit në mbrojtje të shëndetit, nëpërmjet zbatimit të rregullave të higjienës dhe distancimit fizik, si dhe protokolleve të nxjerra nga institucionet shëndetësore,” ka mbyllur mesazhin e saj ministrja.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.