Reagimet për vendimin e Johnson – Laburistë, konservatorë e qytetarë kundër vendimit, sterlina bie
Për të parën herë që prej vitit 1948, Parlamenti britanik do të bllokohet, me kërkesë të Kryeministrit të vendit dhe autorizim nga Mbretëresha Elizabetë II.
Për të shmangur çdo skenar që devijon nga brexit më 31 Tetor, Boris Johnson ka vendosur kështu të mbyllë Parlamentin deri më 14 Tetor. Mbyllja e Parlamentin për 5 javë do të thotë se deputetët britanikë do të kenë shumë pak kohë në dispozicion përpara 31 Tetorit për të penguar një dalje pa marrëveshje.
Reagimet pas këtij veprimi të papritur të Johnson kanë qenë të shumta. Përveç opozitës britanike, edhe një pjesë e madhe e deputetëve konservatorë e kanë cilësuar këtë veprim si një atentat ndaj demokracisë.
Opozita ka kërcënuar me një votë mosbesimi ndaj qeverisë. Kryeministri e ka mohuar që ky vendim i tij lidhet me brexit, por thjesht me nevojën e qeverisë për të prezantuar një program të ri legjislativ.
Sipas një sondazhi të zhvilluar së fundmi për këtë çështje, vetëm 27% e britanikëve janë pro vendimit të kryeministrit, ndërkohë që 47% është tërësisht kundër një veprimi të tillë. Nga ana tjetër, në vetëm pak orë, një peticion online për të ndalur veprimin e Johnson është firmosur nga 1 milionë persona.
Paundi britanik ndërkohë reagoi shumë keq ndaj lajmit për mbylljen e Parlamentit prej datës 10 Shtator deri më 14 Tetor, duke humbur menjëherë 1% të vlerës kundrejt euros dhe dollarit amerikan.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.