BE reagon ndaj Trump – Tarifa prej 25% për mallrat amerikane, nëse nuk heq dorë
Bashkimi Europian po përgatit tarifa ndëshkuese për marka të famshme amerikane, duke rritur presionet politike ndaj presidentit Donald Trump, që të heqë dorë nga planet e tij në taksimin e importeve të çelikut dhe aluminit.
Duke shënjestruar 2.8 miliardë euro mallra amerikanë, BE synon të aplikojë një tarifë të ngjashme prej 25% për produkte të konsumit, bujqësore dhe të çelikut, të importuara nga SHBA, nëse Trump ndjek komentet e bëra një javë më parë, sipas një liste të Komisionit Europian të marrë nga Bloomberg.
Lista e Bashkimit Europian shënjestron importe nga SHBA të bluzave, xhinseve, produkteve kozmetike, motoçikletave dhe jahteve që arrijnë një vlerë prej 1 miliardë euro: produkte bujqësore me një total prej 951 milionë euro dhe çelik e produkte të tjera industriale që vlerësohen në 854 milionë.
Ndër markat e shënjestruara përfshijnë Harley Davidson dhe Levi Strauss, që prodhohen në zona të rëndësishme republikane.
Sipas Bloomberg, Komisioni i diskutoi këto masa me përfaqësuesit e qeverive të bllokut gjatë një takimi ditën e Hënë.
Presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker dhe ekipi i tij pritet të diskutojnë këto propozime këtë javë.
Komisioni po vlerëson gjithashtu dërgimin e një ankese drejt Organizatës Botërore të Tregtisë kundër Shteteve të Bashkuara si dhe për prezantimin e disa masave për të parandaluar dërgesat e çelikut për Shtetet e Bashkuara nga pjesa tjetër e botës, që të devijojnë drejt tregut europian.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.