Realizimi i investimeve, Ahmetaj: Akti normativ shlyen detyrimet, ruajmë parametrat e buxhetit
Diskutimet për Aktin normativ të buxhetit janë shoqëruar me debate në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë prezantimit të këtij akti u shpreh se nëpërmjet rialokimeve të fondeve shlyhen të gjitha detyrimet e këtij viti, ndërkohë që janë ruajtur të gjithë parametrat e treguesve fiskalë të buxhetit, por kryesisht nuk rritet borxhi dhe deficiti.
“Ky rishikim propozohet ti nënshtrohet procedurës së aktit normative. Aspekti i nevojës dhe emergjencës të cilët lidhen me këto arsye si më poshtë: Garantimi i ofrimit të shërbimeve publike, rritja e eficencës të burimeve publike, dhe rritja e sigurisë në realizimin e normës së buxhetit. Ky akt normative garanton mospreken e treguesit kryesor makro-ekonomikë dhe fiskal duke ruajtur deficitin në nivele të pandryshueshme e duke forcuar më tej objektivat e qeverisë për qëndrueshmëri fiskale. Institucionalizimi dhe zbatimi i plotë në terma të ligjit të buxhetit të fushave të reja të përgjithësive për çdo ministri linje nëpërmjet reflektimit të ndryshimeve organike dhe buxhetore pas miratimit të qeverisë së re”.
Por në kundërshtim me këtë linjë ka qenë deputeti i LSI, Edmond Haxhinasto, sipas të cilit ka një mosrealizim të investimeve publike.
“Mosfinancimi i shpenzimeve për mirëmbajtjen akumulon ose krijon një hendek të jashtëzakonshëm që është shumë i vështirë që me kalimin e kohës të plotësohet, se fatura rritet vazhdimisht, duke mos mbajtur siç duhet infrastrukturën”.
Gjithashtu deputete e PD Jorida Tabaku theksoi se tashmë u bënë traditë aktet normative për të ndryshuar buxhetin, sa herë që qeveria ka mosrealizime dhe sjell shkurtime të investimeve.
“Neve të njëjtat shifra i referohemi, nuk është se ne kemi shifrat tona zyrtare dhe ne prodhojmë raportet tona zyrtare. Por shifrat zyrtare të prodhuara si nga qeveria ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare paraqesin një situatë tjetër për ekonominë. Banka botërore shpreh shqetësimin se borxhi publik as në 2017 nuk ulet poshtë nivelit 71 për qind, dhe ky shqetësim mbështet edhe nga deklarata e FMN-së”.
Mbledhja e komisionit është shoqëruar me debate edhe për çështje të tjera si detyrimet në arbitrazh që ka qeveria shqiptare, për faturën e përmbytjeve si në vitin 2015 ashtu edhe për këtë vit, si dhe për shifrat e punësimit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.