“Rebelët” e Brexit kthehen te May – Rees-Mogg: Marrëveshja e saj, më mirë se qëndrimi në BE
Një nga mbështetësit më të flaktë të Brexit në partinë e Theresa May, ka bërë të ditur se rebelët konservatorë mund të bien në dakordësi me të, duke argumentuar se një marrëveshje e keqe për Brexit është ende më e mirë se qëndrimi në Bashkimin Europian. Kryeministrja Theresa May ka paralajmëruar parlamentin se nëse nuk pranojnë marrëveshjen e saj të Brexit, Britania mund të qëndrojë gjatë në Bashkimin Europian, gjë që rrit shqetësimet e mos daljes kurrë.
Pas 2 vite e gjysmë të negociatave të vështira me Bashkimin Europian, rezultati mbetet ende i paqartë, ndërkohë që mundësitë përfshijnë; një vonesë të gjatë të Brexit, marrëveshja e Theresa May, dalja pa marrëveshje apo një referendum tjetër për anëtarësinë në BE. Kryeministrja po përpiqet të gjejë mbështetje përpara samitit të radhës të Bashkimit Europian, samit që po e përdor si kërcënim për të votuar ujdinë e saj, përndryshe do të detyrohet të zgjasë Brexit. Jacob Rees-Mogg, mbështetësi i flaktë i Brexit, tha se nuk e ka ndarë ende mendjen nëse do të votojë për marrëveshjen e Theresa May, por shtoi se do të ishte më mirë se të qëndrojë në BE.
“Mendoj që është marrëveshje e keqe, por do ta mbështesë nëse alternativa e kësaj është qëndrimi në Bashkimin Europian. Do monitorojmë se si do të zhvillohen ngjarjet këtë javë në Europë, përpara se të vendosim se çfarë do votojmë.”
Nëse ai qëndron besnik ndaj Theresa May, të gjithë “rebelët” e Brexit mund ta ndjekin, pavarësisht se nuk dihet nëse do të mjaftojë për të kaluar Brexit në parlament. Rees-Mogg tha se do të preferonte daljen pa marrëveshje më 29 Mars, por shtoi se Theresa May nuk do lejojë që kjo të ndodhë. Marrëveshja e Theresa May, që do të mbajë lidhje të forta tregtare dhe të sigurisë me BE, u mposht me 230 vota në parlament më 15 Janar dhe me 149 vota në 12 Mars. Nëse Kryeministrja ja del të kalojë marrëveshjen pas 2 dështimeve famëkeq në parlament, do të shënonte një kthim spektakolar dhe arritjen më të madhe gjatë detyrës së saj.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.