Reduktimi i detyrimeve të prapambetura të energjisë – TV SCAN zbardh planin e veprimit: Po krijohen borxhe të reja, problem ujësjellësit
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo e Financave dhe Ekonomisë kanë miratuar një plan veprimi që synon të parandalojë krijimin e borxheve të reja ndërmjet kompanive të energjisë elektrike, si dhe reduktimin e qëndrueshëm të stokut të detyrimeve të prapambetura të akumuluara deri më sot ndërmjet kompanive. Gjithashtu, plani i veprimit synon zbatimin e masave disiplinore për institucionet buxhetore dhe ndërmarrjet e ujit për të mos shmangur pagesën e faturave të energjisë elektrike.
Sipas dokumentit që TV SCAN e disponon, ecuria e detyrimeve të prapambetura në tre vitet e fundit ka qenë e luhatshme. Stoku i papaguar midis OSHEE-KESH dhe OSHEE-OST është ulur përkatësisht me 1.8 miliardë dhe 1.3 miliardë lekë, por ndërkohë janë krijuar rishtazi detyrime të reja si rezultat i kontratave për përmbushjen e detyrimit të shërbimit publik me energji elektrike (KESH ndaj OSHEE) dhe shërbimeve të balancimit dhe ribalancimit (OSHEE ndaj OST-OST ndaj KESH).
Sipas dokumentit, kërkesa e lartë për import gjatë vitit 2018 çoi në akumulimin e detyrimeve të prapambetura midis OSHEE dhe KESH prej 1.8 miliardë dhe 0.9 miliardë lekë respektivisht në vitin 2018 dhe në vitin 2019, me një total prej 4 miliardë lekë duke përfshirë dhe kamatë-vonesat. Prej këtyre detyrimeve “të reja” stoku i detyrimeve të prapambetura brenda sektorit nuk ka pasur përmirësim. Gjithashtu, një kategori e detyrimeve të prapambetura që është përkeqësuar lidhet me faturën e energjisë elektrike të ndërmarrjeve të ujit.
Sipas dokumentit, reforma e vonuar e sektorit të ujit dhe mekanizmi i dobët i ekzekutimit të pagesave të energjisë elektrike çuan në ri-akumulimin e detyrimeve të prapambetura sa niveli i fshirë në fillim të reformës (netuar në 2014). Sektori i ujit akumulon mesatarisht 1.5 miliardë lekë detyrime çdo vit, që pothuajse dyfishohen nga kamatëvonesat. Ndërkohë që, sa i përket kategorive të tjera të borxheve, situata ka qenë më pak shqetësuese.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.