Reduktimi i informalitetit dhe evazionit – Tenderi i AKSHI-t, sistem elektronik për hetimin tatimor, kryqëzim informacionesh
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit do të ngrejë një sistem elektronik për llogari të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, duke synuar përmirësimin e procedurave të hetimit tatimor. Më konkretisht, përmes këtij projekti synohet minimizimi i nivelit të ekonomisë informale, përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave, identifikimin më të lehtë i evazionit, si dhe ulja e nivelit të korrupsionit në administrate.
Për ngritjen e këtij sistemi AKSHI ka hapur një tender me vlerë 131.5 mln lekë, ndërkohë që kompanitë e interesuara kanë afat deri në datën 28 maj për të dorëzuar ofertat e tyre. Sipas dokumenteve shoqëruese të tenderit, aktualisht inspektorët e hetimit tatimor dhe hetimit doganor janë të detyruar të mbledhin dhe analizojnë informacionin dhe deklaratat individuale të taksave, duke përdorur një kombinim të përvojës, kujtesës dhe instiktit për të marrë vendime në atë që ata hetojnë. Ndërkohë që, kjo situatë krijon vonesa, ku vetëm për shkëmbimin e informacionit nevojiten 15-20 ditë kohë.
Ndërkaq, sistemi që do të implementohet do të marrë të dhëna nga burime të ndryshme, duke përfshirë bazat e të dhënave të tjera shtetërore, të tilla si: Dogana, Tatimet, Regjistri i pasurive të paluajtshme, etj. dhe do të lehtësojë proceset e punës. Gjithashtu, sistemi duhet të identifikojë rastet e mundshme për hetim, ndërsa duhet të kryqëzojë të dhënat nga burimet e shumta për të zbuluar marrëdhëniet e fshehura midis njerëzve dhe organizatave, duke e bërë më të lehtë për të parë modele, lidhje dhe rrjete që do të ishin të pamundura për t’i dalluar. Sipas dokumenteve të tenderit, Drejtoria e Hetimit Tatimor ka në ndjekje mbi 1000 dosje administrative për verifikime paraprake, ndërkohë që çdo vit mesatarsisht në prokurori çohen 300 çështje.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.