Reduktimi i taksave për agroturizmin, Klosi: Së shpejti miratojmë paketën fiskale
Bizneset e agroturizmit së shpejti do të mund të përfitojnë reduktim taksash dhe lehtësi të tjera. Këtë e njoftoi vetë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë një vizite në një fermë kalërimi në qarkun e Gjirokastrës.
Sipas ministrit, paketa fiskale me masat e nevojshme do të kalojë se shpejti në qeveri, për t’iu drejtuar më pas parlamentit.
“Duhet që në zonat ku ju kaloni të keni po ashtu edhe iniciativat e para të agroturizmit. Ne kemi një paketë fiskale e cila do të kalojë së shpejti në qeveri dhe që do të kërkojë që për agroturizmin ne të kemi një reduktim të sistemit të taksave për t’i nxitur ata që të ecin sa më shumë përpara, por më shumë se kaq ne na duhet që të kemi për turistët edhe alternativa të tjera”, u shpreh Klosi.
Ministri vizitoi gjithashtu një nga bizneset agroturistike në Lunxhëri ku aktualisht qëndrojnë 10 turistë të huaj. Pronari i këtij biznesi shpjegoi investimet e realizuara: mbjelljen e një sërë kulturash agrofrutorë, por edhe ofrimin e aktiviteteve argëtuese për turistët.
“Numri i turistëve të huaj që po vjen gjithmonë e më shumë në rritje për një turizëm që edhe ne që jetojmë në Shqipëri nuk kishim informacion. Dhe ka kaq shumë turistë nga Austrialia, Franca, Hollanda që ndjekin turizmin tuaj dhe që tregon se ka shumë nevojë për promovim, ka shumë nevojë për mbështetje, dhe ka shumë nevojë që Shqipëria të shndërrohet në një destinacion të vërtetë turistik europian. Mendoj që Gjirokastra përveç bukurisë së natyrës dhe të kalasë i duhet afruar shumë edhe ky lloj turizmi që është turizmi familjar”, tha ministri.
Klosi vlerësoi investimet e kryera duke u shprehur se këto ferma janë fillesat e një industrie të agroturizmit që i japin zonës zhvillim. Sipas tij, Gjirokastra i ka të gjitha mundësitë për të zhvilluar një turizëm të diversifikuar që të përfshijë jo vetëm bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore, por edhe pikat agroturistike dhe turizmin familjar.
A.H./SCAN
Agroturizmi, ja kriteret për marrjen e certifikatës – Programi për nxitësit fiskal miratohet në javët në vijim
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.