Reduktohen dokumentet në bujqësi – Aplikimet për financime, dosjet i plotësojnë punonjësit e AZHBR
Dokumentet në sektorin bujqësor për 22 shërbime janë reduktuar në masën 63 për qind. Kështu fermerët për të aplikuar në skemat mbështetëse nuk kanë nevojë për asnjë dokument, ndërsa fituesve do t’u duhet vetëm certifikata e pronësisë dhe plani i biznesit.
Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, ka sqaruar se në kuadër të reformës së derregullimit janë eliminuar burokracitë e panevojshme, ndërsa ndryshime ka edhe në sektorë të tjerë si peshkimi, siguria ushqimore, etj.
“E kemi bërë me vetëdeklarim aplikimin këtë vit, vetëm me kartën e identitetit. Edhe fermerët fitues, pra ata që do të fitojnë nga përzgjedhja paraprake nuk do t’iu kërkohet të plotësojnë të gjithë dokumentacionin me 3 mijë dokumente, do t’iu duhet të sjellin vetëm titujt e pronësisë të tokës bujqësore, vetëm kaq. Gjithë dokumentacioni tjetër që gjenerohet nga zyra të tjera shtetërore do të furnizohet ose në mënyrë elektronike, ndërsa dokumentet e tjera do të plotësohen nga punonjësi i AZHBR-së”.
Zv.Kryeministrja Senida Mesi theksoi se ulja e sasisë së dokumentacionit është faza e parë e reformës, ndërsa faza e dytë lidhet me rritjen e cilësisë.
Referuar të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë numri i aplikimeve për përfitim nga Skemat Kombëtare ka pësuar rënie ndër vite, dhe kjo lidhet pikërisht me numrin e lartë të dokumenteve të kërkuara dhe procedurat burokratike.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.