Referendumi për çështjen e emrit – Maqedonia voton sot
Prej orës 7 të mëngjesit në Maqedoni ka nisur referendum për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit.
Të drejtë vote kanë 1.806.336 votues, të regjistruar në Listën Zgjedhore, të cilët i përgjigjen pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjen me Greqisë”.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka akredituar 11.907 vëzhgues vendor, 493 vëzhgues dhe 194 përkthyes të huaj. Përveç vëzhguesve dhe gazetarëve vendor, KSHZ njoftoi se ka akredituar edhe 83 gazetarë nga 32 media ndërkombëtare, ndërsa shumë te tjerë janë refuzuar pasi kanë aplikuar jashtë afatit ligjor.
Votimi zhvillohet në 3.480 vendvotime, të cilat do të jenë të hapura deri në orën 19:00 të mbrëmjes.
Referendumi pason marrëveshjen që kanë arritur Maqedonia dhe Greqia, më 17 qershor, në Prespë, për mbylljen e kontestit 27 vjeçar për emrin. Zgjidhja parasheh që Maqedonia të ndërrojë emrin në “Maqedonia e Veriut”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.