Reforma e shërbimeve publike – Së shpejti miratohet karta e qytetarit
Qeveria do të miratojë së shpejti “kartën e qytetarit” e cila do të përmbajë informacione informuese dhe edukuese mbi të drejtat që kanë qytetarët kur kërkojnë shërbime në sportelet e administratës publike dhe afatet ligjore për marrjen e një shërbimi. Kartat e qytetarëve do të përcaktojnë gjithashtu mënyrat për tu ankuar apo denoncuar një shërbim të munguar.
Lajmi është bërë me dije nga zv.kryeministrja Senida Mesi në një takim informal me gazetarët mbi ecurinë e refomës në administratës dhe shërbimeve publike. Gjithashtu është bërë me dije se do të zgjerohet gama e shërbimeve që ofron ADISA në kryeqytet. Qeveria është në procedurë për vënien në funksion të dy godinave të reja për këtë qëllim si dhe parashikohet hapje sporteleve të ADISA edhe në qytetin e Shkodrës.
Disa nga shërbimet që do të ofrohen nga ADISA janë edhe ato që i përkasin drejtorisë së shërbimit dhe transportit rrugor. Në takim ishte prezent edhe Shefi i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian, i cili theksoi se një administratë publike e fortë, efikase dhe transparente është elementi kyç për integrimin në BE.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.