Reforma e ujit – Gjiknuri, letër vendorëve: Hartoni planin e masave
Në kuadër të reformës në sektorin e ujit, brenda datës 22 dhjetor njësitë e qeverisjes vendore duhet të kenë gati planin e sensibilizimit të qytetarëve. Kërkesa është bërë nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri në një shkresë me datë 18 dhjetor, drejtuar bashkive dhe shoqërive të ujësjellës-kanalizime.
Referuar fazës së parë të aksionit, që përfundon në datën 1 shkurt, ministri kërkon edhe marrjen e masave për rishikimin e tarifës për lidhjen e kontratave të furnizimit me ujë e kanalizime, si dhe paraqitjen brenda këtij viti të analizës së kostove, e ndarë në kosto administrative dhe kosto për vendosjen e ujëmatësit.
Gjithashtu, pas urdhrit të kryeministrit, Edi Rama për kryerjen e pagesave të ujit nga institucionet dhe punonjësit e tyre, Gjiknuri kërkon disiplinimin e pagesave të ujit edhe nga bashkitë, institucionet e tyre të varësisë dhe punonjësit e tyre.
Ndërkaq, sa i takon fazës së dytë të aksionit për ujin, që konsiston në verifikimin e formalizimit të çdo abonenti, Gjiknuri u kërkon njësive vendore hartimin e planit të veprimit në terren, që referuar dokumentit, duhet të dorëzohet pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime brenda datës 8 janar 2018.
Në përfundim të shkresës, kërkohet edhe hartimi i planit të masave për arkëtimet e detyrimeve të prapambetura, duke pasur parasysh faktin se faturat e ujit janë titull ekzekutiv.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.