Reforma e ujit – Kreu i AKUK: Bizneset janë abuzuesit më të mëdhenj
Në raport me abonentët familjarë, institucionet shtetërore dhe bizneset janë abuzuesit më të mëdhenj në drejtim të ujit, ndërkohë që kjo është një prej arsyeve se përse operacioni i ujit do të fillojë pikërisht nga këto kategori”. Të dhënat janë bërë me dije nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime, Arben Skënderi, i cili ishte i ftuar në studion e TV SCAN për të folur mbi reformën e ujit.
“Nga të dhënat që ne kemi, familjarët janë të fundit. Nuk kemi një ndarje të prerë, por mbi familjarët, edhe bizneset edhe institucionet janë abuzues më të mëdhenj se sa familjarët. Në planin që neve kemi detajuar, të parët ne kemi diskutuar institucionet, ku çdo drejtues institucioni do të marrë përgjegjësinë e tij, ashtu si një kryefamiljar për familjen e tij. Ai duhet të jetë në pozita të tilla për institucionin që paguajë ujin, të ketë një kontratë, të ketë vendosur dhe një matës për institucionin. Kjo do të fillojë për të gjithë. Pas institucioneve, radhën do ta kenë bizneset, pasi kemi humbje të mëdha, sidomos në zonat bregdetare, kur kemi hotele apo resorte të cilat furnizohen me ujë. Presupozohet mund të furnizohen nga alternative të tjera dhe jo nga skema e ujësjellësit, por që ne në fund fare kemi humbje. Dhe, e kemi detajuar planin e tillë që të verifikojmë çdo lloj lidhje të tillë duke u dhënë mundësinë që mund të kenë dy lidhje, tre lidhje, katër lidhje. Në qoftë se ata nuk dëmtojnë sistemin, mund të kenë tre matësa, katër matësa, të lidhin po kaq kontrata, të jenë pagues të rregullt se nuk do të ndodhë asgjë tjetër.”
Sipas Skënderit reforma e ujit do të pasohet edhe nga një ndryshim në shpërndarjen e financimeve për ujësjellësit, duke u fokusuar te performanca e secilës prej kompanive, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e kalimit të tyre në pronësi të shtetit.
“Ne kërkojmë patjetër që ndërmarrjet të funksionojnë. Në do t’i mbështesim maksimalisht që ato të mbijetojnë ose të jetojnë me të ardhurat e tyre. Qëllimi ynë është që ato të performojnë. Në momentin që nuk performojnë, mekanizmi i parë është që ato të agregohen në ndërmarrje më të mëdha dhe në pamundësi për t’u agreguar në ndërmarrje më të mëdha, atëherë do të merret administrimi nga pushteti qendror.”
Faza e parë e operacionit të ujit përfshin vetë rregullimin, çka do të thotë se të gjithë abonentët kanë afat deri në datën 1 shkurt për të lidhur kontratat e ndërmarrjet e ujësjellësve apo të vendosin matësit, pa u penalizuar sikurse përcakton legjislacioni në fuqi.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.