Reforma në drejtësi diskutohet në Hollandë – “E pashoq. Ka ndryshuar pothuajse çdo nen i legjislacionit shqiptar”
Reforma e sistemit të drejtësisë në Shqipëri ka qenë tema e diskutimit në një tryezë të organizuar në Hagë nga ambasada shqiptare në Holandë dhe Qendra për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar.
Në tryezë ishin të ftuar për të shpjeguar reformën në drejtësi, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Drejtuesja e Ekipit të Euralius Agnes Bernhard dhe Eric Vincken, zëvëndësdrejtor i CILC.
Modeli shqiptar i reformës është vlerësuar si një nga modelet më të mira për reformimin e sistemeve të drejtësisë në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet e tjera, duke tejkaluar edhe masat e ndërmarra nga disa shtete të Bashkimit Europian
“Reformat në Shqipëri, kurrësesi nuk mund të konsiderohen kozmetike dhe përkundrazi mund të quhen si një përpjekje e guximshme dhe unike në llojin e saj” deklaroi Robert Bosch, ish-Ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe moderatori i tryezës së diskutimeve.
Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm, në cilësinë e ish-kryetarit të Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi u shpjegoi të pranishmëve domosdoshmërinë për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, e kushtëzuar kjo nga niveli profesional, mënyra se si funksiononin institucionet drejtuese të sistemit, si dhe perceptimi negativ që publiku shqiptar kishte tek sistemi i drejtësisë.
“Ajo çka pritet nga kjo reformë është pastrimi i radhëve të sistemit nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të paaftë dhe të lidhur apo ndikuar në vendimarrjen e tyre nga bota e krimit, krijimi i institucioneve të reja që sigurojnë më shumë pavarësi të sistemit, krijimi i mekanizmave që garantojnë balancë dhe kontroll efektiv të sistemit në luftë me koorporatizmin dhe korrupsionin,” tha Xhafaj.
Ministrja e Drejtësisë, gjatë fjalës së saj vlerësoi ndihmën e ndërkombëtarëve në hartimin dhe zbatimin e reformave, ndërsa u shpreh se “në Shqipëri sistemi i drejtësisë është rindërtuar nga themelet. Jo çdo njeri është dashamirës ndaj sistemit të ri për shkak se kanë shumë për të humbur. Rrjedhimisht, ndryshimet rrënjësore në sistemin ligjor shqiptar nuk lidhen vetëm me ligjet dhe rregullat, por edhe me zemrat dhe mendjen e njerëzve”.
Eric Vincken, zëvëndësdrejtor i CILC përgjegjës për drejtimin e ekipit të ekspertëve holandez tha se “Reforma ligjore në Shqipëri është e një shkalle historike dhe e pashoq. Nuk është bërë kurrë më parë. Ka ndryshuar pothuajse çdo nen dhe kapitull të legjislacionit shiqptar. Gjithashtu, ne vlerësojmë miratimin në parim të marrëveshjes së Eurojust nga Shqipëria si dhe nëpërmjet pjesëmarrjes së Shqipërisë në platformat e tjera ndërkombëtare ajo është shndërruar në një anëtare me të drejta të plota të ekosistemit ligjor global. Hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të nxisë më tej qeverinë për të vijuar me reformat rrënjësore në Shqipëri”.
Në përmbyllje të takimit, Bosch vlerësoi reformat e rëndësishme që qeveria shqiptare ka ndërmarrë si dhe deklaroi që për sa i përket kapitullit 23 dhe 24, në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria është shumë here më e avancuar se sa shtete të tjera të rajonit, të cilat i kanë hapur negociatat e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.