Reforma në drejtësi, kosto rekord edhe në 2023-2024 – Buxheti afatmesëm: Rreth 400 milionë USD në dy vite, shkak pagat e magjistratëve e zyrat
Scan Televizion ka zbardhur parashikimet buxhetore afatmesme të Ministrisë së Financave. Ndërsa ka konsumuar dhjetëra e dhjetëra miliona euro në formën e programeve, ngritjes së organeve të reja apo insfrastrukturave përkatëse, zbardhet se në total për sektorin e drejtësisë janë parashikuar rreth 400 milionë dollarë fonde për vitet 2023 dhe 2024. Sipas tavaneve buxhetore afatmesme të sapopublikuar nga Ministria e Financave, shihet se në total për sektorin e drejtësisë janë parashikuar rreth 400 milionë dollarë fonde.
Nga tabelat e Ministrisë së Financave vërehet se nga 19.9 miliardë lekë në vitin 2021, buxheti i sektorit të drejtësisë kërcen në 19.3 miliardë lekë për vitin 2022, për të vijuar në rritje të dukshme edhe për dy vitet pauses, përkatësisht 19.9 miliardë lekë për vitin 2023 dhe 20.4 miliardë lekë për vitin 2024. E shprehur në përqindje ndaj buxhetit të shtetit, nga 2.8% në 2021, ai do të mbetet në nivelet 3.3% për tre vitet në vijim.
Një pjesë e mirë e këtyre kostove të kripura i detyrohet pagave të reja që përfitojnë gjyqtarët e prokurorët që prej 1 janari i vitit 2019. Nëse më parë, paga mesatare për gjyqtarët dhe prokurorët shkonte nga 100 deri në 130 mijë lekë në muaj, pas 1 janarit 2019, paga mesatare kërceu në 280 deri në 380 mijë lekë në muaj.
Ndërkohë që kosto të shtuara vijnë edhe për shkak të sistemimit nëpër zyra të organeve të reja të drejtësisë. Kosto që do të mbeten të larta edhe në vijim. Mjaftojmë të kujtojmë që Byroja Kombëtare e Hetimit nuk ka ende zyra, ndërkohë që nëpër gjykatat në gjithë vendin numërohen rreth 1.3 milionë dosje, të cilat shpesh janë kthyer në problem për zënien e ambienteve.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.