Reforma në inspektime – Hajdari: 85% e inspektimeve bëhen online
Sjellja abuzive nga inspektorë të ndryshëm gjatë kontrolleve ka qenë dhe problematika e trashëguar, sipas biznesit. Kjo sipas tyre, kryesisht për kohëzgjatjen e kontrolleve, kërkesa të ndryshme të dokumentacioneve, si dhe në jo pak raste mungesë profesionalizmi. Kreu i Inspektorit Qendror, Shkëlqim Hajdari, u shpreh në një intervistë për TV SCAN, se me reformën që po realizohet tashmë në inspektorate rreth 85 % e gjithë procedurave të kontrolleve në biznese kryhen online nga trupat e inspektimit.
“Sipas të dhënave që kemi ne nëpërmjet sistemi digjital që administrojmë, mbi 85 për qind e inspektimeve që bëhen, bëhen online. Ky është një sukses shumë i madh. Ka problem sistemi digjital, përditë dalin problem ndërmjet inxhinierëve të inspektorateve, inxhinierëve tonë të firmës që administron, por e rëndësishme është që tashmë kryeinspektorët dhe trupat e inspektimit e kanë kuptuar që inspektimi online me dokumenta standarde dhe duke u arë biznesi si mjet që nëpërmjet inspektimit ta standardizosh, ta formalizosh dhe jo ta penalizosh është një rrugë pa kthim.”
Reforma e nisur në inspektorate krahas uljes së numrit të Inspektorateve dhe përqendrimin e tyre në atë Qendror, synon që të ulë abuzivizmin dhe korrupsionin. Gjithashtu për krijimin e kushteve lehtësuese për sipërmarrjen gjatë proceseve të kontrollit inspektimet tashmë do të jenë të koordinuara.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.