Reforma në Shërbimet Publike – Ahmetaj: Në prill, shërbim online 24 orë për eksportuesit
Po zhvillohet sot tryeza e dytë publike në kuadër të Reformës së Shërbimeve Publike dhe ecurisë së Procesit të Deregulimit.
Zëvendëskryeministrja Senida Mesi tha se përmes kësaj reforme po bëjmë përpjekje për të ulur korrupsionin, duke shtuar më tej se së shpejti 100 për qind e shërbimeve do të bëhen online.
Ndërkohë, në fjalën e tij Ministri i Financave dhe Ekonomisë u shpreh se qendra e re te Doganat ul korrupsionin dhe shmang kontaktin e drejtpërdrejtë me doganierin. Po ashtu, sipas tij kjo përkthehet në transparencë dhe në kohë të kursyer, pasi të gjitha shërbimet doganore do të transferohen online.
Ahmetaj tha se në mes të prillit pritet të vihet në funksion edhe shërbimi online 24 orë për eksportuesit.
“Brenda mesit të prillit do të vihet në punë shërbimin e eksportit, një shërbim 24 orësh, ku përmes tij agjencitë kanë mundësi të kryejnë shërbimin e eksportit.”
Po ashtu, ministri vijoi më tej se do të ndërmerret një hap i tretë në periudhën gusht-shtator, ku do të bëhet gjurmimi i plotë i trafikut komercial, që sipas tij do të ulë çdo pikëpyetje në ambientin ekonomik mes sipërmarrjes dhe doganave, duke vijaur më tej me procesin e licensimit dhe autorizimeve si dhe vlerësimin e eksporteve. Ndërkohë, shtoi se në Dogana dhe Tatime janë ndërtuar profile të sipërmarrjes ndër vite, që sipas tij nënkupton se ato të cilat nuk kanë pasur probleme, nuk do t’i nënshtrohen një kontrolli të detajuar.
Ndërkohë, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Sonila Qato tha kjo reformë synon lehtësimin, thjeshtëzimin e të gjitha procedurave që ndjekin qytetarët dhe sipërmarrja. Sa i takon lejeve për ushtrim aktiviteti, Qato tha se pajisja me këtë shërbim do të ofrohet nga zyra përkatëse, që sipas saj është kjo e fundit e cila do të bëjë edhe verifikimin në mënyrë që sipërmarrësi të ketë një dosje të plotë. Ajo tha gjithashtu se po punohet që një pjesë e lejeve dhe autorizimeve t’i akordohen Dhomave të Tregtisë, në mënyrë që edhe sipërmarrësit të lidhin kontakte me to.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.