Reforma tatimore në SHBA – Trump propozon planin e shumëpritur, tërheq kritika mbi deficitin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, prezantoi reformën më të madhe tatimore në 3 dekada, duke propozuar ulje të taksave për amerikanët, megjithatë mori kritika se plani favorizon bizneset e të pasurit dhe mund të rrisë deficitin me triliona dollarë.
Trump tha se plani i tij tatimor synon të ndihmojë klasën punëtore, duke krijuar vende pune dhe duke e bërë kodin tatimor më të lehtë e më të drejtë.
Megjithatë, pritet të përballet me një betejë në Kongres, ndërsa vetë republikanët e tij kanë argumente të ndryshëm.
Plani do të ulë normën e taksës ndaj korporatave në 20% nga 35%, dhe do të reduktojë normën maksimale të taksës mbi të ardhurat për individët në 35% nga 39.6%.
Plani, i krijuar gjatë muajve të bisedimeve mes aleatëve të Trump dhe republikanëve kryesorë në Kongres, përmban pak detaje mbi mënyrën se si do të paguhet për këtë hendek, pa zgjeruar deficitin në buxhet apo shtuar borxhin kombëtar prej rreth 20 trilionë dollarësh.
Komisioni për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm, një organizatë me seli në Washington, vlerësoi se shkurtimet tatimore do të arrijnë një vlerë prej 5.8 trilionë dollarë në një dekadë.
Plani duhet ende të kthehet në ligj, që nuk pritet deri sa Kongresi të bëjë progres mbi buxhetin fiskal të 2018-ës.
Analistët janë skeptikë se Kongresi do të miratojë plani tatimor këtë vit. Tregjet financiarë morën nxitje pas shpalosjes së planit, një event i shumëpritur nga investitorët.
Trump e cilësoi planin si reduktimin më të madh të taksave në historinë e Shteteve të Bashkuara.
“Ne kërkojmë një reformë tatimore që është pro-rritjes, pro-punësimit pro-punëtorëve dhe sigurisht pro-Amerikës”, tha ai.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.