Reforma zgjedhore – Basha prezanton platformën me katër kushte
Pas prezantimit të draftit për reformën zgjedhore nga qeveria, opozita ka prezantuar platformën e saj për ‘çlirimin’ e zgjedhjeve. Kreu i demokratëve Lulzim Basha ka prezantuar para deputetëve demokratë dhe opozitës platformën që sipas tij do të mundësojë zgjedhje të lira e të ndershme. Platforma e opozitës mbështetet në katër pika, që sipas Bashës janë thelbësore.
“Dekriminalizimi i procesit zgjedhor, ku përfshihet edhe vetting-u i politikanëve. Masat kundër shitblerjes së votes. Reduktim shpenzimeve të fushatës, financim shtetëror 100%. Përdorimi i teknologjisë në votim, votim dhe numërim elektronik.” – tha Basha.
Lulzim Basha deklaroi se është i hapur edhe për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por më parë kërkoi që të realizohen katër pikat e platformës.
“Pasi të zgjidhen këto mund të hapet diskutimi për sistemin, mendimet e mia dihen, por do i nënshtrohen aleancës opozitare dhe etj. Qëndrimi im është që çfarë do sistemi të shkojmë duhet një studim dhe diskutim i hapur për përfaqësimin më të mirë të qytetarëve. Reduktim të numrit të deputetëve që mund të kthehen në 100, parlamenti me dy dhoma. Të gjitha propozimet të hapura për diskutim.” -tha ai.
Entela Barjamaj /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.