Reformat 3-vjeçare të energjisë – Në fokus, liberalizimi i tregut dhe diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë
Liberalizimi i tregut te energjisë dhe diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë do të jenë 2 masat kryesore të sektorin energjetik, të parashikuar në programin e reformave ekonomike 2022-2024, që është nxjerrë për konsultim publik. Sipas dokumentit, masa e parë parashikon zhvillimin e një tregu të organizuar të energjisë elektrike dhe integrimin e tregut shqiptar të energjisë elektrike me tregjet më të gjera rajonale të energjisë dhe në fund me tregun e brendshëm të energjisë në BE. Por, sipas tij hyrja në tregun e parregulluar të konsumatorëve të energjisë elektrike është e lidhur ngushtë me cilësinë e shërbimit të ofruar nga OSSH si dhe me treguesit e lejuar të performancës, teksa kërkohen investime të konsiderueshme në këtë drejtim.
“Ndonëse gjatë viteve 2019 – 2020 janë realizuar dy projekte pilot për matje inteligjente, me rezultate premtuese dhe pozitive, sfidat me të cilat është përballur kompania në vitet e fundit duke filluar nga situata e pafavorshme hidrologjike, pasojat e tërmetit 2019 dhe ndikimi i Covid 2019, kanë detyruar kompaninë të devijojë dhe të reduktojë investimet për të siguruar energji për të gjithë përdoruesit”,-thuhet ndër të tjera në draftprogram.
Aktualisht, ka përfunduar liberalizimi i abonentëve të lidhur në tensionin 35 KV, ndërkohë që ndonëse parashikohej që një pjesë e bizneseve të lidhur në tensionin 20 kv të dilnin në treg të lirë nga 1 janari i këtij viti, procesi u shty me 6 muaj, duke u argumentuar me situatën në tregje me çmimet e larta të energjisë. Ndërkaq, sa i takon masës që lidhet me diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë përmenden centralet fotovoltaike në Karavasta e Spitallë, për të cilët janë zhvilluar ankandet dhe është shpallur fituesi, por që gjithsesi në vitet 2023-2024 do të jenë në fazë ndërtimi e nuk do të mund të kontribuojnë në prodhimin e përgjithshëm të energjisë.
Paralelisht programi përmend edhe planet për ndërtimin e centraleve të prodhimit të energjisë nga era, për të cilët Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur një proces konkurrues. Nëpërmjet kësaj procedure tenderimi, Ministria do të përzgjedhë projektet me kapacitet total prej 100 MW të cilat do të përfitojnë nga masat mbështetëse. Edhe për këto projekte, draftprogrami parashikon që fituesit do të zgjidhen në qershor të vitit 2023, çka nënkupton se hyrja e tyre në prodhim do të kërkojë edhe disa vite.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.