Reformat e Eurozonës – Eurogrupi bën progres me buxhetin. Ka ende punë
Ministrat e Financave të Eurozonës kanë bërë progres në krijimin e një buxheti për 19 vendet e valutës së përbashkët, por nuk kanë rënë ende dakord mbi përmasën apo financimin. Kreu i Eurogrupit, Mario Centeno, tha se janë ndërmarrë hapa të vegjël gjatë takimit që nisi ditën e Enjte. Megjithatë, karakteristikat kryesore të buxhetit të ri qëndrojnë ende të paqarta, ndërkohë që ministrat nuk ranë dakord mbi mënyrën e financimit. Centeno tha se një vendim mbi përmasën e buxhetit të Eurozonës pritet të merret më vonë gjatë vitit nga liderët e Bashkimit Europian.
“Kur flasim për buxhetin, është e rëndësishme të caktojmë përmasën dhe kjo do të vendoset nga liderët më vonë gjatë vitit. Megjithatë, projektimi i instrumentit është gjithashtu i rëndësishëm. Mbi Financimin, diskutimet tona kanë mbuluar një pjesë të madhe, por duhet ende shumë punë për të gjetur burimet e përshtatshme të financimit,” deklaroi Centeno.
Centeno shtoi se ministrat kanë rënë dakord mbi reformat e fondit të shpëtimit të Eurozonës, që është Mekanizmi Europian i Stabilitetit. Këto do t’i japin organizatës fuqi për të trajtuar krizat e ardhshme financiare. Ministrat dështuan të arrijnë në dakordësi mbi një skemë të përbashkët të sigurimit për depozitat bankare, që konsiderohet si pikë kryesore në fuqizimin e unionit bankar të Eurozonës. Komisioneri i çështjeve ekonomike, Pierre Moscovici, tha se është shumë i zhgënjyer mbi mungesën e progresit në këtë hallkë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.