Reformat në BE – Dombrovskis: Mbështetje për vendet që synojnë t’i bashkohen euros
Bashkimi Europian prezantoi masa të reja për integrimin e mëtejshëm të Eurozonës dhe për të mbështetur vendet anëtare që t’i bashkohen unionit monetar. Zv/presidenti i Komisionit, Valdis Dombrovskis, i cili shërben gjithashtu si Komisioneri për Euron dhe Dialogun Social, prezantoi paketën për kompletimin e Unionit Ekonomik dhe Monetar (EMU).
“Ne po propozojmë aktualisht, mënyrën se si mund të mbështesim punën paraprake dhe reformat e nevojshme në vendet që kërkojnë t’i bashkohen Eurozonës. Me këtë, ne po tregojnë se Eurozona duhet të zgjerohet dhe se komisioni është i gatshëm për të mbështetur vendet anëtare, për t’u siguruar se ato mund në harmoni brenda Eurozonës “, tha Dombrovskis.
Unioni Ekonomik dhe Monetar përfaqëson grupin e politikave që synojnë konvergjencën e ekonomive të vendeve anëtare, nëpërmjet koordinimit të politikave ekonomike e fiskale dhe përdorimit të valutës së përbashkët. Liderët e Bashkimit Europian po vendosin prioritet reformat dhe bashkëpunimin brenda unionit, në një kohë të rritjes së retorikës populiste në rajon.
Në një kohë që ekonomia e dytë më e madhe e BE-së, Britania, po del nga unioni dhe ndërsa disa vende të tjera si Danimarka dhe Austria po përballen me ngritjen e partive të djathta anti-BE, përpjekjet për unifikimin e vendeve ekzistuese janë kritike.
Fuqizimi i BE është parë gjithashtu si një lëvizje strategjike për të frenuar influencën e Rusisë, veçanërisht në vendet Baltike si Lituania, ku Dombrovskis ka shërbyer si Kryeministër. Në propozime përfshihet edhe transformimi dhe fuqizimi i Mekanizmit Europian të Stabilitetit, duke e kthyer në një Fond Monetar Europian.
Organizata ka shërbyer si mbrojtës i vendeve me vështirësi financiare, duke ofruar financim të shpejtë dhe ka qenë një lojtar kritik në trajtimin e krizës së borxhit të Eurozonës. Megjithatë, zv/presidenti i Komisionit tha se asnjë vend nuk është i detyruar t’i bashkohet unionit të valutës dhe se nuk ka afate kohore strikte.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.