Reformat në shërbimet publike, Mesi: Do të thjeshtohen 1/3 e lejeve për biznesin
Thjeshtimi i procedurave administrative dhe lehtësimi i klimës së biznesit është kthyer në një objektiv të qeverisë. Zëvendëskryeministre Senida Mesi në një intervistë në TV SCAN, u shpreh, se reforma në shërbimet administrative dhe sidomos ajo e derregullimit, po ndikojnë pozitivisht jo vetëm tek opinion publik, por kanë lehtësuar shumë klimën e biznesit në vend.
Kjo reformë jo vetëm ka ulur burokracitë, sipas saj, po ka ndikuar në uljen e korrupsionit.
“Në kuadër të sipërmarrjes, sipërmarrjen e pret më së shumti eliminimi i shumë lejeve dhe licencave dhe autorizimeve. Dhe aty ku nuk është e mundur, normalisht këto leje dhe licenca e dokumente duhet të ekzistojnë, sidomos kur bëhet fjalë për ruajtjen e sigurisë të konsumatorit, të mjedisit dhe të jetës. Dhe në këto element ne nuk do cedojmë. Në momentet e tjera, kur një leje nuk sjellë ndonjë risk, përkundrazi nëse nuk jepet, vetë sistemi, vetë tregu kërkesë oferta do bëjë rregullimin e vetë, aty neve jemi duke parë, duke vlerësuar dhe identifikuar gjithë eliminimet. Dhe jo pak por ne jemi duke eliminuar 1/3 e lejeve, licencave dhe autorizimeve”.
Sipas numrit dy të qeverisë, për të zgjeruar këto shërbime synohet që deri në 2020 në të gjithë vendin të hapen 15 zyra të ADISA-s, që është një ‘one stop shop’ për procedurat administrative.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.