Reformimi i Policisë Kriminale – Xhafaj merr mbështetjen e zv.Presidentit të BKA-së, Henzler
Thellimi i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Zyrës Federale Kriminale Gjermane sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me projektet e asistencës ndaj Policisë Kriminale, kanë qenë në fokusin e takimit të sotëm mes ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Peter Henzler, zv.President i Zyrës Federale Kriminale Gjermane. Ministri Xhafaj vlerësoi bashkëpunimin mes palëve duke falenderuar për asistencën teknike e logjistike dhe veçanërisht për kontributin e ekspertëve gjermanë që janë prezentë dhe punojnë pranë së Policisë së Shtetit.
Xhafaj e njohu Henzler me arritjet e derisotme të operacionit “Forca e Ligjit” dhe theksoi se ky operacion është konceptuar si një plan veprimi enkas, për luftën kundër krimit të organizuar.
Nga ana tjetër, numri dy i BKA gjermane, vlerësoi planin e veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe e cilësoi si një strategji që e kanë pak vende, në rajon apo më gjerë. Ai theksoi se zbatimi i këtij plani është një shans i mirë për të vijuar bashkëpunimin në fusha me interes si për Gjermaninë ashtu edhe për Shqipërinë.
Henzler premtoi mbështetje të BKA në reformimin e Policisë Kriminale shqiptare dhe gjithashtu garantoi mbështetjen në realizimin e trajnimeve dhe kurseve afat shkurtra për trupën e Policisë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.