Reformohet stafi i Kadastrës – Lame: Jo më juristë, biologë e sociologë, të konkurrojnë inxhinierë e gjeodetë
Punësimet politike e nepotike në vite kanë sjellë deformime të rënda në cilësinë e punës së hipotekave në Shqipëri, shkak për të cilin Agjencia e Kadastrës po ndërmerr një rishikim të thellë të nivelit profesional të specialistëve të saj. Në një dalja para mediave, Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame tha se ky institucion numëron 400 juristë, por edhe profesione që nuk kanë të bëjnë fare me funksionet e saj si biologë, historianë, sociologë, apo psikologë.
Reforma e thellë që po bëhet në institucionet në vend, sipas Lames, do të shoqërohet me ngritjen e nivelit profesional të punonjësve të kadastrës. Shkak për të cilin kadastra shpalli garën për 74 persona në strukturën e saj me profesion inxhinierë ndërtimi, arkitekte, urbanistë, gjeodetë apo topografë.
Lame u drejtoi një lutje të gjithë ministrave, ish ministrave, deputetëve, deri edhe të afërmve të tij, të mos ndërhynin më për punësime në zyrat e kadastrës.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.