Refugjatët në Ballkan? – “BE” nis negociatat me rajonin, Xhafaj tregohet diplomatik
Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian janë takuar në Vjenë së bashku me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor. Në qendër të diskutimeve mes palëve ka qenë pikërisht ideja e krijimit të qendrave të azilkërkueseve nën rajon. Sipas Ministrit të Brendshëm të Austrisë, Herbert Kickl, negociatat mes vendeve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor mbi këtë çështje kanë nisur, paçka se nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.
Por gjithsesi, asnjë prej vendeve të rajonit nuk ka shprehur pëlqim në lidhje me këtë propozim. Minsitri i Brendshëm i Shqipërisë ndërkohë, Fatmir Xhafaj duket se nuk i ka mbyllur të gjitha opsionet, duke kërkuar më shumë mbështetje nga Bashkimi Europian si dhe duke deklaruar se Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë për të zgjidhur problemet e vështira.
Konferenca me titull, “Siguria dhe Migrimi” do të vazhdojë me takime intensive edhe përgjatë së Premtes. Ministrat e Brendshëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian dhe të vendeve të rajonit nënshkruan edhe një marrëveshje në Vienë për zgjerimin e bashkëpunimit policor në Ballkanin Perëndimor.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.