Regjistrimet ne UPT – Maliqari: 76% janë regjistruar, bie fluksi në degën e arkitekturës
Rritet niveli i regjistrimeve dhe në Universitetin Politeknik të Tiranës deri në 76% në raundin e pare, nga 20% në vitin akademik 2016-2017. Në një intervistë për televizionin SCAN, rektori i UPT Andrea Maliqari sqaroi se gjithsej ky universitet ka ofruar 1765 kuota në të gjitha degët, nga të cilat janë regjistruar 1345 dhe mbetën kuota të lira 420 në total nga të cilat 33 vetëm në degën e arkitekturës.
“Universiteti Politeknik i Tiranës për kandidatët shqiptarë brenda vendit ka të parashikuara në total rreth 1765 kuota, nga të cilat rezultojnë të regjistruar në datën 11 1373 kuota, në datën 12 janë rreth 28 kuota të çregjistruara. Pra në total numri i të regjistruarve në raundin e parë në Universitetin Politeknik është 1345 nga 1765 kuota, që ne kemi të parashikuara, pra në masën rreth 76%”, tha Maliqari.
Sa i takon kuotave në degën e arkitekturës si një ndër degët më të preferuara në universitetin Politeknik të Tiranës, Maliqari sqaron se numri nuk ka ndryshuar nga vitet e mëparshme. Sipas Rektorit të UPT, ajo që vihet re është rënia e fluksit të dikurshëm kjo edhe si pasojë e ndryshimeve në sektorin e ndërtimit vitet e fundit.
“Natyrisht arkitektura ka qenë një nga degët më të preferuara. Ne jemi koshientë për atë realitet të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, ku gradualisht ajo dyndje kërkesash për këtë produkt ka qenë jashtëzakonisht e madhe, tani mund të shikojmë që ka arritur një farë normaliteti dhe ky numri i kërkesave është në rënie”, shtoi rektori i UPT.
Ndërkohë numri i studentëve të universitetit politeknik të Tiranës, të cilët janë punësuar teksa vijojnë studimet, mbetet i konsiderueshëm kryesisht ne degët e inxhinierive.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.