Regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit – DPT njofton afatin kohor
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë personat e tatueshëm që përveç veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, kryejnë edhe veprimtari të tjera, që të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si persona të tatueshëm më vete.
Sipas njoftimit të bërë nga DPT në faqen zyrtare të saj, ky proces shërben për të përfituar nga lehtësirat fiskale në fushën e turizmit. Gjithashtu, ka për qëllim edhe formalizmin e këtij sektori sipas parashikimit në ligjin nr.92/2014 datë 24.07.2014, “Për TVSh-në në RSH”, i ndryshuar, neni 49, pika 3 dhe VKM nr.652, datë 10.11.2017 – Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave “Për Dispozitat Zbatuese të ligjit nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, neni 3, pika 2.
Afati për regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit është parashikuar periudha kohore deri në 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Vendimi ka hyrë në fuqi që prej datës 5 dhjetor 2017.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.