Rehabilitimi i rrugëve – Rama: Akset rrugore që do i nënshtrohen punimeve
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me kompanitë e mirëmbajtjes në kuadër të krijimit të Flotës së Solidaritetit. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro, si dhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.
Në fjalën e tij kryeministri u shpreh se po fillon puna konkrete me financimin masiv që është vënë në dispozicion të mirëmbajtjes së rrugëve.
“Janë 13 milionë euro në vit që do të financojnë mirëmbajtjen e akseve kryesore në një total 1332 kilometra. Sa i takon pjesës tjetër, prej 2600 km do të mirëmbahen me një financim nga buxheti i shtetit prej 3.7 miliardë lekësh.”
Ndërsa u shpreh se do të hapim një kapitull të ri për mirëmbajtjen e rrugëve, Rama shtoi se brenda këtyre katër viteve akset rrugore do të bëhen të certifikueshme.
Ai ka renditur edhe akset ku do të ndërhyhet për mirëmbajtjen, rikonstruksionin dhe ndërtimin e tyre, nisur nga vepra e artit në hyrje të Tiranës, për të vijuar më tej me Bypass-in e Tepelenës dhe përfundimin e rrugës ‘legjendare’ Korçë-Ersekë, siç e ka cilësuar ai.
Ndërkohë, shtoi më tej se do të fillojë puna në rrugën e Arbrit si dhe do të bëhet lidhja e kontratave për akset Thuman –Kashar dhe Balldren- Milot në pjesën e parë të vitit.
Sa i takon aksit Kashar – Rrogozhinë, Rama tha se fillimi i punës do të nisë brenda vitit dhe ai do të ndërtohet me një skemë financimi me pagesë. Ndërkohë, pritet të fillojë puna edhe në aksin rrugor Rrogozhinë – Fier dhe në Bypass-in e Fierit dhe Vlorës, që sipas Ramës është shumë afër zgjidhjes.
Ndërkohë, për aksin rrugor Kashar – Durrës, Rama nënvizoi se:
‘Në pranverë njerëzit do të shohim shumë nga ato pjesë të rrugës Kashar – Durrës, që është një problem më vete do të përmirësohen ndjeshëm me një mirëmbajtje të standardeve europiane.’
Flotës së Solidaritetit do t’i bashkangjiten edhe 58 kompani të tjera që operojnë në të gjithë territorin.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.